Historiku i Shkollës

Qendra e  Kompetencës në Ferizaj vitin shkollor  2013-14 e  shënon si vitin  e  parë të fillimit të punës  duke startuar  me  tetë profile shëndetësore:

  1. Teknik i  Audiometrisë
  2. Asistent i Kujdesit Social  dhe  Shëndetësor
  3. Asistent  i Ortopedisë
  4. Teknik i Ortoprotetikës
  5. Teknik dentar
  6. Teknik i Farmacisë
  7. Teknik i Optikës
  8. Asistent  i Sigurisë Ushqimore  dhe  Dietat

 

Tetë profilet  numërojnë nga  një klasë prej 24 nxënësish që në total bëjnë 192  nxënës për  një gjeneratë dhe  që i bie se  kapaciteti komplet  i shkollës është 576 nxënës. Qendra e  Kompetencës në Ferizaj ka  ardhur  si  rezultat projekti i cili  është financuar  nga Qeveria  e Luksemburgut përmes  Ministrisë së Jashtme  të Luksemburgut. Kontribut  financiar  është dhënë  edhe  nga  Ministria e  Arsimit  të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

 

Objektivi specifik i projektit është kontributi në përkrahjen  e reformimit të  Arsimit dhe  Aftësimit  Profesional në (AAP) në Kosovë përmes  ndërtimit  të dy  qendrave  të Kompetencës  në Kosovë, njëra  nga  këto qendra e  vendosur  në Ferizaj për  zhvillimin  e  profileve  në sektorin  e  shëndetësisë. Projekti gjithashtu përkrah zhvillimin  e  kornizës  konceptuale në reformën në AAP si dhe  zhvillimin  e  konceptit të Qendrave  të Kompetencës. Përkundër  faktit që Kosova ende  nuk  e  ka fituar  statusin  e  vendit  kandidat në BE, projekti është duke e  përkrahur Qeverinë  e  Kosovës në reformimin  e  AAP në përputhje  të plotë me  sistemin  e  kreditimit për  AAP dhe  në përputhje  me Kornizën Europiane  të Kualifikimeve. Fillimisht ishte planifikuar që procesi mësimor në Qendrën e Kompetencës ( QK ) të filloj më 1 Shtator 2013, por për shkak të ngecjeve në finalizimet e punimeve nga kompania përkatëse u mundësua që mësimi të filloj në Shkollën Fillore “Riza  Matoshi”, në ndërresën  e  dytë (nga  ora 14.00) dhe  për dy  muaj rresht  është realizuar  procesi mësimor në këtë objekt.

Drejtoria Komunale e Arsimit e komunës së Ferizajt, gjatë muajve Maj dhe Qershor 2013 pranuan menaxhmentin dhe stafin mësimdhënës.

Me qëllim të zgjidhjes  së problemit  të mungesës së instruktorëve  të praktikës për  Qendrën e  Kompetencës  në Ferizaj, projekti është pajtuar me  MASHT dhe DKA për  rekrutimin  e  tetë instruktorëve  të praktikës të aftë për  zhvillimin  e  shkathtësive në punëtoritë dhe  përdorimin  e  pajisjeve  si dhe  menaxhimin  e  praktikës  së nxënësve.

Në vizitën inspektuese  të Komisionit  për  pranim teknik të përkohshëm, të punëve të realizuara për ndërtimin e objektit te QK në Ferizaj, të datës 24.10.2013,  shkollës  i është mundësuar futja dhe fillimi i punës  në objekt, me  vërejtjet  dhe  rekomandimet  që kanë pasuar  nga  komisioni.

Përfundimisht më datën  18.12.2013 është vizituar  objekti nga  Komisioni për  pranim dhe  është bërë pranimi teknik i përkohshëm (Provisional acceptance for the construction of the CoC in Ferizaj) , me  vërejtjet për  përmirësime dhe  nën garancinë njëvjeçare nga  kompania Arbëria&Ipek e  cila  është përgjegjëse dhe  nënshkruese e  kontratës.

Janë bërë përgatitjet e duhura  për themelimin  e  Këshillit  të Shkollës. Është themeluar Këshilli i Nxënësve,  Këshilli  të Prindërve, është themeluar  Këshilli i Mësimdhënësve dhe Këshilli Drejtues  i Shkollës/qendrës.

Qendra e  Kompetencës  aktualisht numëron  21  klasë nga tetë profilet ekzistuese, ndërsa ky është viti i parë ku diplomon   gjenerata e  parë  e  nxënësve.

 

 

Përshkrimi/pasqyrë e shkurtër e shkollës

 

Përfundimisht  mund të thuhet, se, përkundër sfidave  të shumta, me  angazhimin tonë maksimal, me mbështetjen pa rezervë të projektit LUX-DEV dhe  institucioneve tona, me  përkushtimin  e  lartë të stafit  mësimdhënës, është arritur të themelohet, përkatësisht  të fillohet  një projekt i një rëndësie  historike  për Kosovën në përgjithësi dhe  për  Ferizajn në veçanti. Ky  model i shkollimit  i duhet, jo vetëm tregut  të punës dhe  zhvillimit  ekonomik në Kosovë, por edhe  tregut  ndërkombëtar. Është e  vërtetuar  tashmë, se zhvillimit ekonomik i kontribuojnë njerëzit e  kualifikuar të fushave specifike. Profilet që janë përzgjedhur  në këtë qendër  janë të një rëndësie  të madhe në shëndetësi, si në ofrimin e  produkteve  shëndetësore, që në një të ardhme  të afërt mund  të jenë produkte  vendore, dhe  poashtu në ofrimin, përkatësisht  rritjen  e  cilësisë së shërbimeve  shëndetësore.

 

Kjo qendër  është mjaft  sfiduese, jo vetëm për  ne  si staf menaxherial i saj, por edhe  për  komunën tonë, MASHT dhe  Kosovën në përgjithësi, por  jemi të bindur se  sukseset fshihen pas  sfidave.

Profilet Optikë, Ortoprotetikë, Ortopedi, Audiometri, Kujdes Social  dhe  Shëndetësor, Siguri e  Ushqimit dhe  Dietat ofrohen për  herë të parë në Kosovë dhe  mundësia e  absorbimit  të këtyre profesioneve në tregun  e  punës  është shumë  e  lartë jo vetëm në tregun  e brendshëm, por  ka  interesim edhe  në tregun  e  jashtëm. Edhe  profilet  Farmaci dhe  Teknikë dentare, përkundër faktit që ka  traditë në këto degë dhe  kemi kuadro, sistemi i ri dhe  mundësitë që ofron shkolla do të jenë predispozitë reale  për  kualifikime  më kualitative se  deri më tani.

 

Menaxhmenti i QK-së, përkundër  sfidave  dhe  problemeve  të identifikuara si qendër  në themelim, konsideron  se  viti  shkollor  2013- 14, përfundimisht  ka  qenë vit  i shënimit  të suksesit, realizimit  të objektivave dhe  një garanci se vazhdimi i Qendrës  së Kompetencës  në Ferizaj është i sigurt  në perspektiv.